Ndikimi i dhunës televizive tek të rinjtë

Në shekullin e njëzet kanë ndodhur dy shpërthime të mëdha: shpërthimi i masmedias dhe ai i krimit të dhunshëm. Shoqëria moderne është e ekspozuar ndaj një doze masive dhune që shfaqet përditë në media. Ndërkaq, një numër i madh studimesh për dhunën në media janë ndërmarrë në dyzetë vitet e kaluara duke përdorur metoda kërkimore të ndryshme. Ky shkrim ka për qëllim të tregojë cilët faktorë ndikojnë në shfaqjen e sjelljeve agresive te të rinjtë, çfarë efekti (nëse ka) krijon tek të rinjtë ekspozimi ndaj dhunës dhe çfarë masash mund të merren për të reduktuar këtë fenomen.

Njerëzit fillojnë të imitojnë të tjerët në një moshë të hershme dhe vëzhgimi i sjelljes së të tjerëve është burimi i shumë aftësive të fëmijëve të vegjël. Të mësuarit përmes vëzhgimit mbetet një mekanizëm i fuqishëm për përvetësimin e sjelljeve të reja sociale gjatë fëmijërisë dhe pjekurisë. Pritet që fëmijët të mësojnë nga çdo gjë që vëzhgojnë – prindërit, vëllezërit dhe motrat, shokët ose karakteret e televizorit – dhe shumë kërkues bien dakord që të mësuarit përmes vëzhgimit mund të kontribuojë në efektet afatshkurtra dhe afatgjata të dhunës në media mbi agresivitetin. Pjesa më e madhe e këtij të mësuari ndodh pa qëllim dhe ndërgjegjësim.

Dhuna në media shkakton një nxitje fiziologjike për pjesën dërrmuese të të rinjve. Ka evidenca që kjo ngritje fiziologjike mund të rrisë agresivitetin në dy mënyra të ndryshme. Së pari, nxitja mund të forcojë çfarëdolloj tendence veprimi të personit në atë moment. Kështu, nëse dikush provokohet në momentin që ndodh nxitja fiziologjike, ai mund të bëhet më agresiv. Së dyti, nëse një person i nxitur fiziologjikisht, ia keqatribuon nxitjen një provokimi nga dikush tjetër, mundësia për të vepruar me agresivitet në përgjigje ndaj atij ngacmimi rritet. Kështu, njerëzit priren të reagojnë më dhunshëm ndaj provokimeve menjëherë pasi kanë parë filma nxitës, krahasuar me momente të tjera. Ky transferim i nxitjes mund të ndodhë me çdo lloj aktiviteti gjallërues.

Studime të ndryshme, kryesisht në shkencën psikologjike, kanë gjetur se dhuna televizive ka efekte të shumta në sjelljen e fëmijëve të të gjitha moshave. Këto efekte përfshijnë: imitimin e dhunës dhe krimeve të para në televizor, uljen e ndjeshmërisë ndaj sjelljes agresive, shpërthimin e akteve impulsive të argesionit, zëvendësimin e aktiviteteve socializuese me moshatarët si dhe pakësimin e ndërveprimit me të rritur. Këto studime kanë gjetur se dhuna televizive ka efekte emocionale te të rinjtë, të cilët mund të bëhen të pandjeshëm ndaj dhunës në jetën reale dhe ta shohin botën si një vend të frikshëm, ku njerëzit përdorin metoda të dhunshme për zgjidhjen e konflikteve. Evidencat shkencore nga një grup studimesh mbi agresionin e lidhur me median janë përmbledhur në rishikime literature dhe kanë dalë në konkluzionin se të parët e dhunës e rrit agresionin.

Një ekzaminim i mënyrave sesi dhuna televizive ndikon te të rinjtë përqëndrohet edhe në diferencat midis tyre. Të rinjtë ndryshojnë në varësi të përmbajtjeve që ata shohin, kontekstit në të cilën e shohin, mënyrës sesi shohin dhe kuptimit që ata nxjerrin. Ata ndryshojnë edhe në varësi të eksperiencave të tyre jetësore. Grupe të caktuara të rinjsh janë më vulnerabël ndaj efekteve të dhunës televizive. Fëmijët e grupeve minoritare dhe emigrantët janë të prekshëm, sepse mund të mos shohin në televizor shumë aktorë që përfaqësojnë kulturën e tyre dhe personazhet mund të paraqiten në një mënyrë të stereotipizuar ose të zhvlerësuar. Po ashtu, fëmijët emocionalisht të shqetësuar ose ata që kanë paaftësi të nxëni shohin shumë televizor dhe mund të preferojnë programet e dhunshme. Ata kanë më shumë gjasa ta perceptonë përmbajtjen e televizionit si reflektim të saktë të botës reale dhe mund të identifikohen me karakteret e dhunshëm. Edhe fëmijët e abuzuar nga prindërit shikojnë më tepër televizion se fëmijët e tjerë, me preferencë për programet e dhunshme dhe duket se parapëlqejnë heronjtë e dhunshëm. Fëmijët e abuzuar që shohin televizor me orë të tëra kanë gjasa të bëjnë krime të dhunshme më vonë në jetë. Gjithashtu, fëmijët e familjeve ku përjetohet një nivel i lartë stresi shohin më tepër televizor dhe prindërit e tyre janë më pak ndërmjetës për programet që shohin fëmijët e tyre.

Rreth 80% e adoleshentëve shohin filma horror dhe materiale të tjera që i frikësojnë ata. Të parët e përmbajtjeve të dhunshme kontribuon në sensin e tyre për botën si një vend i keq. Filmat horror marrin rëndësi në kontekstin e shqetësimeve të të rinjve rreth seksit, romancës dhe përcaktimit të roleve gjinore. Një studim ka gjetur se të rinjtë meshkuj e shijojnë më shumë një film horror nën shoqërinë e një femre të trembur, ndërsa një femër, nën shoqërinë e një të riu që nuk duket i frikësuar. Të parët e filmave horror së bashku, mund të sigurojë një mundësi për djemtë të ofrojnë siguri, ndërsa për vajzat të kërkojnë siguri – një ritual që merr kuptim veçanërisht në një kontekst lidhjeje në çift.

Një studim kanadez në vitet 1980 gjeti se adoleshentët e moshës 12-17 vjeç ishin grupi që raportonte më shpesh se kishte parë video me materiale seksuale eksplicite në televizor ose në videokaseta, të paktën një herë në muaj. Kanadezët e kësaj moshe kanë shprehur nivelin më të lartë të pranimit (35%) të materialit të dhunshëm seksual. Efektet e pornografisë së dhunshme tek shikuesit meshkuj janë një shqetësim më vete. Këto efekte përfshijnë një pranueshmëri të lartë të dhunës ndaj femrave, besimin se femrave iu pëlqen dhuna dhe tendencën për të përdorur metoda të dhunshme për ndëshkimin e tyre. Ndërkaq, efektet e të parët të materialeve pornografike nuk është studiuar aq shumë te femrat, sa te meshkujt. Megjithatë, femrat raportojnë se janë penduar pasi kanë parë një film me material të dhunshëm, sidomos kur objekti i ushtrimit të dhunës ka qenë femër.

Nga ana tjetër, industria e filmit dhe argëtimit pretendon se dhuna në media thjesht reflekton dhunën që tashmë ekziston në shoqërinë njerëzore. Një studim ka krahasuar frekuencën e krimeve të kryera në botën reale me ato që kanë ndodhur në programe televizive policore të bazuara në realitet. Rreth 87% e krimeve në botën reale dhe vetëm 13% e krimeve në programet televizive të bazuara në realitet janë krime joviolente. Vetëm 0.2% e krimeve të raportuara nga FBI janë vrasje, ndërsa në filma, ato janë në rreth 50% të rasteve. Pra, ka më tepër dhunë në botën virtuale, sesa në atë reale.

Megjithatë, industritë e televizionit dhe të filmit shpesh pretendojnë se dhuna në media nuk ka influencë në sjelljen agresive. Madje, ato shkojnë një hap më tej dhe pretendojnë se dhuna në media e ndikon sjelljen në mënyrë pozitive. Për shembull, shkrimtari Grace Johnson thotë se programet e dhushme televizive “shpesh shërbejnë si një valvul çlirimi për impulse agresive, të cilat do të shtypeshin për të shpërthyer më vonë”.  Sipas Alfred Hitchcock, drejtor filmi, “Shikimi i një vrasjeje në televizor mund të jetë një terapi e mirë. Ajo mund të ndihmojnë luftimin e antagonizmave të secilit.” Përshkrimi i parë i dokumentuar i kësaj “hipoteze katarsisi” është dhënë më tepër se njëmijë vjet më parë, te “Poetika” e Aristotelit. Ai thotë se ndjekja e shfaqjeve tragjike u jepte njerëzve çlirim emocional (katarsis) nga ndjenjat negative. Katarsisi nxitej nga identifikimi i publikut me heroin, i cili përjetonte dilema të forta jetësore. Ky pastrim emocional besohej se i shërbente si individit, ashtu dhe shoqërisë. Nocioni antik i katarsisit u rimor shekuj më vonë nga Sigmund Frojd dhe pasuesit e tij dhe u integrua në psikoterapi.

Katarsisi shpie në një ulje të ndjeshmërisë emocionale të personit ndaj akteve të dhunshme, si pasojë e ekspozimit të vazhdueshëm. Ky fenomen njihet me termin “inhibim emocional”, i cili i referohet reduktimit të reagimeve fiziologjike të lidhura me stresin e vëzhgimeve ose mendimeve për dhunën. Në kontekstin tonë, ulja e ndjeshmërisë emocionale ndodh kur njerëzit që shohin shumë dhunë televizive nuk përgjigjen më me të njëjtën ngritje fiziologjike si më parë. Procedurat e inhibimit emocional janë tepër të suksesshme në trajtimin e fobive dhe çregullimeve të ankthit dhe frikës. Në mënyrë të ngjashme, skenat e dhunshme bëhen më pak të papëlqyeshme nëse shfaqen kohë pas kohe dhe studentët më agresivë priren të tregojnë një ulje të nxitjes kur përsëriten skena të dhunshme.

Teoritë dhe të dhënat sugjerojnë se faktorët socialë mund të moderojnë efektin e dhunës në media mbi agresivitetin nëse ato ndryshojnë shanset që fëmija të idendifikohet me karakterët agresivë, të ndryshojnë shanset që fëmija të mos shohë dhunë ose të mos marrë sjellje të mësuara nga të parët e dhunës. Këta faktorë mund të jenë kultura, mjedisi social ose familja. Psh., mjediset kulturore, me sanksione të forta ndaj dhunës në grup zvogëlojnë shprehjen e sjelljeve agresive të mësuara përmes medias. Prindërit, si kryefaktor social, kanë potencialin për t’u bërë moderatorët e efekteve të dhunës në media te fëmijët. Fëmijët dhe adoleshentët i formojnë qëndrimet dhe besimet dhe veprojnë si rezultat i ekspozimit ndaj përmbajtjes në media, por ata mund ta diskutojnë atë çfarë shohin me të tjerë – veçanërisht me prindërit dhe shokët. Kur prindërit marrin një rol aktiv ndërmjetësues – duke përfshirë kometimin e rregullt dhe kritik – fëmijët kanë më pak gjasa të ndikohen negativisht nga përmbajtja e medias.

Gjetjet sugjerojnë se çdo lloj ndërhyrjeje nga prindërit mund të ulë rëndësinë që fëmijët i japin dhunës televizive dhe mund të pakësojë qëndrimet agresive të fëmijëve. Mënyra sesi prindërit kontrollojnë të parët e televizorit nga fëmijët e tyre dhe çfarë ata bëjnë kur fëmijët shohin dhunë në TV ka më tepër rëndësi në reduktimin e efekteve nga vëzhgimi i dhunës, sesa nga fakti se si janë prindërit. Mesa duket, të rinjtë kanë nevojë për praninë e më të rriturve për të krijuar një ide më realiste mbi botën në të cilën jetojnë, e cila nuk mund të kufizohet brenda ngjarjeve të ekranit të televizorit.

Referenca

1. Bandura, A., & Adams, N.E. (1977). Analysis of self-efficacy theory of behavioral change. Cognitive Therapy and Research, 1, 287–310.

2. Brad J. Bushman and Craig A. Anderson. Media Violence and the American Public. Scientific Facts Versus Media Misinformation. Iowa State University

3. Check, J. V. P., Heapy, N. A., and Iwnyshyn, O. 1985. A Survey of Canadians’ Attitudes Regarding Sexual Content in the Media (Report No. 11). Toronto: York University, LaMarsh Research Programme on Violence and Conflict Resolution.

4. Myers, D. G. (1999). Social psychology (6th ed.). Boston: McGraw-Hill.

5. Nathanson, A.I. (1999). Identifying and explaining the relationship between parental mediation and children’s aggression. Communication Research, 26, 124–143.

 6. Zillmann, D., and Bryant, J. 1986. Exploring the entertainment experience. In J. Bryant and D. Zillmann (eds.), Perspectives on Media Effects (pp. 303-324). Hillsdale, NJ: Lawrence Erlbaum Associates.

About these ads

One thought on “Ndikimi i dhunës televizive tek të rinjtë

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s