Një dritë evolucionare për depresionin

 

depression03Përqasjet teorike që rreken të shpjegojnë etiologjinë e depresionit bazohen në faktorë të ndryshëm. Pikëpamja më e zakonshme pohon se ai rezulton nga ndërveprimi i dispozitave gjenetike me faktorët mjedisorë. Një përqasje ftuese, e zhvilluar dekadat e fundit, e cila thekson kontributin e evoluar gjenetik në lindjen e depresionit është psikologjia/psikopatologjia evolucionare (PE/PPE). Kjo përqasje sugjeron se depresioni, si dhe problemet e tjera mendore, mund të kenë avantazhe evolucionare.[1]

Në kontekstin e teorisë së evolucionit, ndryshimet fenotipike ndodhin për shkak të ndryshimeve gjenetike: tiparet e përzgjedhura favorizojnë mbijetesën dhe riprodhimin. Të menduarit darvinian mund të ndihmojë në shpjegimin e origjinës së mjaft sëmundjeve.[2] Mirëpo, në kontekstin e problemeve të shëndetit mendor  mund të vihet re një prirje e ndryshme. Nga njëra anë, njerëzit me probleme mendore të caktuara (depresion, skizofreni, autizëm, bipolar) kanë prodhimtari më të ulët, pra, priren të bëjnë më pak fëmijë; nga ana tjetër, gjenet përgjegjëse për lindjen e tyre nuk janë zhdukur. Teoria e evolucionit nuk e ka parashikuar një gjë të tillë![3] Pyetja që ngrihet natyrshëm në këtë rast është: “Nëse  mbijetesa e të përshtaturve përbën rregullin, si kanë mbijetuar gjenet që kontribuojnë në çrregullime mendore serioze dhe paaftësuese?” Kjo pyetje përbën thelbin e punës së teoricienëve të evolucionit përgjatë dekadave.

Sipas psikopatologjisë evolucionare, mendja konceptohet si një mozaik i përbërë nga mekanizma mendore specifike, të fituara përmes përzgjedhjes natyrore dhe të krijuara për t’i lejuar paraardhësit njerëzorë për t’u përshtatur me mjedisin.[4] Kjo përqasje është formuluar nga kërkues të ndryshëm në fund të viteve 1980 (McGuire, Marks, Nesse dhe Troisi, 1992).[5] Kërkimet e orientuara nga evolucioni në psikopatologji janë kryesisht teorike. Ato gjenerojnë hipoteza interesante dhe premtime për të integruar të dhëna nga psikiatria, neuroshkenca kognitive dhe psikologjia klinike. Potenciali i kërkimeve synon të zgjerojë të kuptuarit e natyrës njerëzore, duke përfshirë edhe natyrën e psikopatologjisë.[6]

Qendra e vëmendjes brenda psikopatologjisë evolucionare është depresioni. Thuajse të gjithë kërkuesit brenda PPE janë përqëndruar në këtë çrregullim, duke gjeneruar hipoteza origjinale dhe konkurruese. Depresioni është një gjendje emocionale dhe për të kuptuar depresionin në lidhje me evolucionin, fillimisht duhet të merren në konsideratë emocionet. Një tipar i përbashkët i emocioneve është se ato kanë evoluar në mënyrë që individi të mbijetojë më mirë. Për shembull, frika është një emocion që e ndihmon individin të largohet nga një situatë e rrezikshme, ndërsa kënaqësia e inkurajon atë të përsërisë veprimet kënaqësidhënëse. Emocioni kryesor i lidhur me depresionin është  trishtimi – një emocion universal, me një shprehje faciale që njihet në shumë kultura.[7] Ai shkaktohet zakonisht nga humbja dhe është shumë i lidhur me humbjen e atashimit me prindin. Funksioni biologjik dhe evolucionar i trishtimit është ta motivojë individin të rifitojë atë që ka humbur, p.sh., të rindërtojë atashimin; pra, nga pikëpamja evolucionare, ai është një emocion adaptiv. Trishtimi normal ka funksion adaptiv, por depresioni i ashpër është paaftësues në termat e funksionimit të përditshëm. Atëherë, pse evolucioni nuk e ka zhdukur këtë çrregullim, i cili ka një komponent gjenetik të rëndësishëm? A është ai adaptiv nga një pikëpamje evolucionare?

Shumë hipoteza janë propozuar dhe që synojnë të tregojnë se depresioni mund të ketë avantazhe për individin. Një ndër të parat ka qenë hipoteza e kompeticionit social, e cila e sheh depresionin si një përshtatje që krijohet kur ka kompeticion social dhe redukton përpjekjet agresive të rivalit. Mirëpo, është e vështirë të kuptohet aryseja pse depresioni duhet të jetë fizikisht dhe psikologjikisht paaftësues, thjesht dorëzimi mund të ishte i mjaftueshëm në këtë rast. Një tjetër hipotezë është se funksioni i depresionit është t’i bëjë njerëzit të pranojnë qëllimet e paarritura dhe t’i ndryshojnë këto qëllime: kjo shpie në ruajtjen e energjisë në rrethana të veçanta. Mirëpo, kjo mund të ketë kuptim për gjendjen e rënë të humorit, jo për depresionin e ashpër. Një pikëpamje e lidhur me depresionin postpartum, hipoteza e kërkimit social, është se ai përfaqëson një thirrje të gruas për ndihmë, që bashkëshorti të kujdeset për fëmijën e sapolindur.[8] Megjithatë, të gjitha këto shpjegime merren me depresionin në nivel të ulët deri në të moderuar dhe nuk ofrojnë një shpjegim evolucionar për depresionin klinik dhe paaftësues.

Kohët e fundit, Wolpert  e ka sfiduar nocionin se depresioni mund të jetë një përshtatje, duke argumentuar se depresioni është shumë serioz në terma të komplikacioneve (nëse lihet i patrajtuar); ta konsiderojmë si sjellje të përshtatur nuk është bindëse. Përqasja e Watson dhe Andrews, që shkon përtej shumicës së përqasjeve, propozon dy funksione të depresionit. Depresioni ka një funksioni social “ripërtypës” (që i bën të depresuarit më të aftë në arsyetimin mbi situata specifike sociale) dhe një funksion të motivimit social (në të cilin individët përdorin burimet me një kosto evolucionare dhe u sinjalizojnë të tjerëve se duhet të rrisin investimin e tyre). Shpjegimi se individët e depresuar janë më të mirë në zgjidhjen e problemeve sociale duket se nuk përshtatet me tablonë klinike. Nga ana tjetër, kjo përqasje është kreative dhe përbën një shembull sesi një përqasje evolucionare për depresionin mund të frymëzojë të menduarit përtej kornizës së pranuar gjerësisht. Përqasjet aktuale të PPE ndaj depresionit ofrojnë hipoteza të mira të testueshme; duke u bazuar në kombinimin e biologjisë evolucionare dhe shkencës empirike.


[1] http://digilib.bc.edu/reserves/ps021/winn/ps02101.pdf

[2] Wolpert, L. Depression in an evolutionary context. Philosophy, Ethics, and Humanities in Medicine 2008, 3:8 doi:10.1186/1747-5341-3-8 http://www.peh-med.com/content/3/1/8

[3] Po aty.

[4] Kennair LEO. Evolutionary Psychology: an emerging integrative perspective vvithin the science and practice of psychology. Hum Nat Rev 2002; 2:17–61. http://www.human-nature.com/nibbs/02/ep.pdf.  [Marrë Janar 2013]

[5] McGuire MT, Marks IM, Nesse RM, Troisi A. Evolutionary biology: a basic science for psychiatry? Acta Psychiatr Scand 1992; 86:89–96.

[6] Kennair LEO, Aarre TF, Kennair TW, Bugge P. Evidence-based mental health – the scientific foundation of clinical psychology and psychiatry. Scipolicy 2002; 2. http://www.scipolicy.net.  [Marrë Janar 2013]

[7] Izard CE: The psychology of emotions. London: Plenum; 1991.

[8] Wolpert, L. Depression in an evolutionary context. Philosophy, Ethics, and Humanities in Medicine 2008, 3:8 doi:10.1186/1747-5341-3-8  http://www.peh-med.com/content/3/1/8

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s