POEZI E SHPENGIMEVE QË ZOTËROJNË

POEZI E SHPENGIMEVE QË ZOTËROJNË

Alush Avduli

(Meditime për vëllimin e ri poetik të Lediona Brahos)

Me librin “Alter Ego” krijuesja Lediona Braho tanimë i është dorëzuar tejet magjisë së poezisë. Asnjë shpëtim, se luhatjet nuk premtojnë. Mos vallë poetët janë të përzgjedhur nga Hyjnia e Frymëzimit?! Këmbëngulëse, me hapa rinorë, ose siç mund të thoshte W. Stevens, poetja mbërrin tek fjalët ashtu si natyra në degët e thata. E shkruara në intimitet zgjon gjelbërimin si gjasë të vetmisë në sukses edhe pse heshtja plaçkitet nga piratëria e fjalëve.

“Me ty rri e hap zemrën,

me ty, Vetmi,

qetësim i dhimbjes sime,

ilaçi im gjumëdhënës,

ekzistenca që pulson

në gjakun e damarëve të mi.”

I shterur nga shpjegimet pëshpëris: Vetëm një hënë melankolike mund t’i recitojë këto vargje si hije mbi muret e larta të vetëdijes. Më tej pyetjet buthëtojnë. Pse në çastin e frymëzimit jemi të mbrojtur nga mosvëmendja?! Mbase ngaqë arsyeja është një teatër?! Poete plot dhunti si Lediona Braho janë të pushtuara nga shpengimet, si këtillësi më shumë veçohen drejt asaj që ligjërojnë dhe ngjajnë drejt atyre që fshehin, ndërkaq në pika takimi janë kundërti. “Alter Ego” në poezitë më të arritura, qëndron sipër realiteteve të pasqyrave të zhvirgjëruara nga vështrimet e rëndomta. Kam përshtypjen se Lediona kur shkruan është në marrëdhënie tjetër me optikën, ashtu si zemra me impulset, gjaku me qarkullimin, qetësia me zhurmën, rregulli me kaosin, haretë me trishtimet, dashuria me urrejtjen… Njëra pa tjetrën do të ishin të pahijshme. Mbase ndonjëherë ato që pohojmë janë të panjohura, por megjithatë dëshira në çaste rivale është regjistruar tek gjithëpërfshirësja. Të tjerë i veshin faktet si manekinë, por unë kur lexoj një libër të këndshëm, kridhem në një turbullirë të argjendtë dhe trazoj me rastin e rrallë kënaqësinë estetike. Në mizërinë e rasteve nga nevoja e përditëshmërisë artikulojmë fjalë katrore. Bota zvogëlohet duke u zmadhuar. Pa mendoni një grimëz, se sa e vështirë do të ishte jeta pa poetët, muzikantët, piktorët… Sa zëmrim dhe sa dashuri do të kishte në “PO”-të dhe “JO”-të e një mëndje të përbashkët të njerëzimit! Fjolla meditimi shpërhapur në qiellin e trishtë poetik të L. Brahos si zogj në “Arratisje” na diktojnë rravgime eterike për thellësinë e dëgjimit. Poetja bëhet re e trishtuar për të thënë se:

 “Fluturoj

dhe mundohem

që ngjyrat ditëve t’ua ndryshoj

me magjinë e ndjenjës.

Njerëzve u përgjigjem me buzëqeshje

dhe me një arratisje të beftë

humbas në strofullën e miqve të erës.”

Ashtu si besimtarët myslimanë që lënë jashtë këpucët për të hyrë në kultin fetar dhe unë i lë jashtë paragjykimet, kështu i çlirët shijoj magjinë e poetikës së sinqertë të krijueses së pasionuar, Lediona Braho. Me durimin asiocativ të leximit dhe pak vëmendje mund të qëmtosh poezi me arritje të kënaqëshme artistike. Është dobishmëria që më shtyn të përmend disa tituj të krijimeve më të përjetuara si “Mundime njerëzore’’, ‘‘Shiu i periferisë’’, ‘‘Koncept lirie’’, ‘‘Libri më i vështirë’’, ‘‘U deshëm’’ apo ‘‘Zvarritje drejt Hiçit’’, edhe pse rrallë me stolisje formale, janë befasi emocionuese të fundosura në qetësinë e dukurive, meditime të çiltra të sistemuara në një strukturë me tensione lirike. Vargje të tillë si: ‘‘…Në çengelin e vetëdijes/ varet profecia e Apokalipsit/ një alarm na bërtet/ për ndërtimin e Arkës/…” janë tepri të pikëllimit madhor, në një begati kotësie, si retorikë pluhuri. Edhe diçka tjetër: poezia e pagëzur ‘‘Ego’’ në librin në fjalë, është kulmi i tij, sugjestionuse e ngjizur me metaforën mahnitëse të gruas-violinë, që me mikrovalë persiatjesh depërton drithërimin në ndjesitë tona trupore e shpirtërore. Sa rrënqethse me një fshehje të pamundur?!… Ç’poezi e bukur! Gati një hymn i brishtë për gruan. Nuk kam më çfarë të shtoj, por një apori më sëmbon: Mos vallë edhe burri është grua e papërfunduar dhe anasjelltas?!… Nejse. Në përfundim dua t’i them Ledionës: Se kush di të shkruaj do të njihet, ndryshe vjen nga Hiçi zvarritës “si një cigane që shet rroba të përdorura”.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s